Hap pas hapi si të përgatisni krem të ftohtë me shije kafe

Këtë krem të ftohtë nuk mund ta quajmë as ëmbëlsirë sepse ka aq pak përbërës dhe përgatitet shumë lehtë. Eshtë zgjidhja e duhur për një pasdite vere. Nga Linda Fishta, fotografia Armand Habazaj
Koha e përgatitjes – 30 minuta Përbërësit për 6 persona:
● 5 filxhanë me kafe ekspres ose kafe Nestle + 1 ose 2 lugë sheqer ● 500 ml pana e ftohtë, nga frigoriferi ● 3 fletë xhelatine (6 g të tria) ● 5 lugë sheqer pluhur
Përgatitja:
1Përgatisim kafetë, u hedhim sheqerin dhe i lëmë të ftohen.
2 Fletët e xhelatinës i vëmë të hidratohen në një tas me ujë të ftohtë për 10 minuta. Më pas i shtrydhim me dorë nga uji i tepërt dhe i tresim në një tigan në flakë, me 2 lugë pana. E heqim pa marrë valë akoma dhe e lëmë mënjanë të vaket.
3Bëjmë marengë me panën (si të ngrirë) duke shtuar pak nga pak sheqerin pluhur. Më pas marrim 2 lugë nga pana dhe i shtojmë në tiganin ku kemi tretur xhelatinën. Më pas, këtë e hedhim në tasin ku kemi panën. E përziejmë me kujdes me spatul, me lëvizje nga poshtë lart derisa të bëhet krem homogjen.
4Kafenë e ftohur e shtojmë në tasin ku kemi përzierjen tonë. E përziejmë me delikatesë derisa kremi të bëhet homogjen. Për ta nxjerrë sa më bukur, e hedhim kremin në një qese pastiçerie dhe mbushim gotat me të. Në rast të kundërt, e shpërndajmë me lugë. Zbukurojmë kremin me pak pluhur kafeje dhe kokrra kafeje. I ruajmë në frigorifer, të mbuluara me qese kuzhine deri në momentin kur do t’i shërbejmë, por jo më pak se 3-4 orë. Të nesërmen është akoma më e mirë.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com